Sot në gjithë territorin e Kosovës është zhvilluar Provimi i Maturës Shtetërore, një ndër proceset më të rëndësishme për të gjithë maturantët që synojnë të vazhdojnë studimet e larta shkruan Radio Star.
Por në Gjilan, një ngjarje e pazakontë ka lënë disa nxënës jashtë këtij procesi vendimtar.
Sipas raportimeve nga vetë maturantët, një grup nxënësish që kishin caktuar Testin e Maturës në Shkollën e Artit dhe Muzikës në Gjilan, nuk janë lejuar të futen në provim pas një situate të paqartë që lidhej me dorëzimin e telefonave.
“U futëm në klasë dhe profesori na shpjegoi se telefonat nuk lejohen, ne i dorëzuam të gjithë dhe me pas erdhi një zyrtar dhe tha që nuk duhet të dilnim nga shkolla. Por disa nxënës dolën për pak dhe kur u kthyen, nuk u lejuan të hyjnë më në testim. Edhe pse nuk kishim filluar ende testin, na u tha që e kishim humbur të drejtën,” ka thënë një nga nxënësit e prekur nga kjo situatë.
Ngjarja ka prekur jo vetëm një klasë, por edhe disa të tjera, ku nxënësit janë ndaluar të marrin pjesë në testim vetëm për faktin se dolën për pak minuta nga objekti shkollor, pavarësisht se telefonat i kishin dorëzuar dhe provimi ende nuk kishte nisur.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është mungesa e një arsyetimi zyrtar për këtë vendim. Nxënësit dhe prindërit e tyre kanë mbetur pa përgjigje për arsyet që çuan në përjashtimin e tyre, ndërsa tashmë fati i tyre akademik është në pikëpyetje.
Kjo situatë ngre shqetësime serioze për organizimin dhe menaxhimin e këtij procesi jetik, teksa maturantët e prekur nuk dinë ende nëse do t’u jepet një mundësi tjetër për t’iu nënshtruar testit apo nëse do të detyrohen të presin për një raund të dytë.