Gjykata Themelore në Gjilan ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera, të dyshuarit për veprën penale të vrasjes së rëndë, Gani Bernjashi.
Bernjashi dyshohet se më 24 maj 2018, pas dhunës që kishte ushtruar, djalin e tij 14 vjeçar, e kishte lënë pa shenja jeta.
Vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
“Gjyqtari Agim Ademi, më 21 qershor, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj për të pandehurin Gani Bernjashi”, ka thënë Shkodra.
Masa e paraburgimit prej 30 ditësh atij i ishte caktuar më 25 maj 2018.
Në seancën dëgjimore të 25 majit kundër kërkesës së prokurorit Shaban Saphiu, për caktimin e paraburgimit ka qenë mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Begzad Hajrullahu, i cili kishte kërkuar që ndaj tij, të caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Kundër vendimit të shkallës së parë me të cilin Bernjashit i ishte caktuar masa e paraburgimit, mbrojtësi i tij ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe instanca e dytë gjyqësore me vendimin e 6 qershorit 2018 e kishte lënë në fuqi masën e paraburgimit.
Ndryshe, Bernjashi, dyshohet se e ka goditur me shkop të birin e tij, duke e lënë të mbyllur në një dhomë të shtëpisë për disa orë, derisa pas mesnatës, të njëjtin e kishte dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, por i cili kishte rezultuar të ishte pa shenja jete.
Vazhdohet paraburgimi për babanë që dyshohet se mbyti djalin e tij
Ndani këtë artikull