Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se ky qytet do të mbetet në fokus të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se përpjekjet për realizimin e projekteve zhvillimore nuk do të ndalen derisa të përmbushen plotësisht.
Sipas tij, puna konkrete në terren është dëshmi e përkushtimit dhe seriozitetit institucional për t’i kthyer Gjilanit dinjitetin dhe investimet që, siç tha, i janë mohuar ndër vite.
“Gjilani do të trajtohet denjësisht nga Qeveria e Kosovës. Do ta marrë pjesën që i takon dhe nuk do të ndalemi derisa të realizojmë të gjitha projektet që e zhvillojnë qytetin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. Kjo është një detyrë institucionale dhe morale”, theksoi Hyseni.
Ai shtoi se, pavarësisht pengesave të ndryshme, angazhimi i tij dhe i institucioneve lokale ka vazhduar me intensitet, duke sjellë rezultate të prekshme në çdo sektor.
“Kanë tentuar të na ndalin në forma të ndryshme, por ka qenë e kotë. Ne kemi vazhduar përpara dhe do të vazhdojmë. Qytetarët kanë nevojë për rezultate, jo për premtime boshe,” u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Hyseni tha se qeverisja lokale po fokusohet në punë konkrete dhe jo në retorikë politike.
“Opozita vazhdon me kritika, por ne po flasim me punë në terren. Qytetarët e shohin angazhimin real dhe e kanë vlerësuar këtë qasje. Besoj se do ta vlerësojnë edhe në të ardhmen. Opozita le ta bëjë punën e saj, por zhvillimi nuk do të ndalet,” shtoi ai.
Në fund, Hyseni ritheksoi përkushtimin e palëkundur për Gjilanin, duke theksuar se çdo veprim është në funksion të interesit qytetar, zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të një qyteti modern dhe funksional.