(Dita ndërkombëtare kundër abuzimit të drogave)
Kjo ditë simbolizon Ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave. Sipas profesionisteve shëndetësorë përdorimi i drogave përbën një kërcënim për shëndetin, sigurinë e individëve dhe komuniteteve. Varësia nga përdorimi është një dukuri prezente si dhe trajtimi i kësaj dukurie kërkon një bashkëpunim dhe rrjetëzim ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
Varësia nga drogat ka disa aspekte:
Toleranca: nënkupton adaptimin fiziologjik të organizmit ndaj një droge, kështu që përdoruesit për të përjetuar efektin e mëhershëm duhet të marrë sasi gjithnjë më të madhe të drogës. Përdoruesi, tek i cili është zhvilluar toleranca, duhet të rris dozën e drogës vazhdimisht në mënyrë që të arrijë të njëjtin përjetim.
Varësia fizike: shfaqet kur një personi i nevojitet drogë për të funksionuar. Disa droga nxisin mekanizmin e përshtatjes pa arritur ndonjë veti të dobishme. Si reagim ndaj pranisë së drogës, organizimi ndryshon funksionet e organeve.
Varësia psikologjike: shfaqet kur përdoruesi detyrimisht duhet të mbështetet në marrjen e drogës, në mënyrë që të ketë sesinë e mirëqenies së tij. Përdoruesi i këtillë është i bindur se ndjenjën që i shkakton droga është e domosdoshme për të funksionuar normalisht.
Mos marrja e drogës (abstenimi, ndërprerja): shfaqet kur përdoruesi i drogës me varësi fizike a psikologjike ndërpret marrjen e saj. Derisa organizmi i përdoruesit mundohet të kompensojë mungesën e substancës së drogës, sistemi organik bie në krizë dhe shfaqen shenja fizike dhe psikologjike të mos marrjes.
Varësia nga substancat përkufizohet si paaftësi për të kontrolluar përdorimin e një droge psiko – aktive si dhe përdorim i vazhdueshëm me gjithë pasojat që sjellin si; fizike, emocionale, mendore, sociale.
Varësia nga substancat shfaqet në qoftë se dikush:
Krijon varësi ndaj efekteve të substancës;
Përjeton simptoma të mos marrjes kur ai ose ajo ndërpret marrjen e drogës dhe për të shmangur ose lehtësuar simptomat e pakëndshme të mos marrjes së drogës përdor substanca tjera;
Merr drogë në doza gjithnjë e më të mëdha dhe për kohë më të gjatë se sa ka menduar;
Dëshiron të zvogëlojë ose të kontrollojë marrjen e substancës, por nuk ka arritur ta bëjë ose ka tentuar por pa sukses;
Humb shumë kohë për ta siguruar substancën për ta përdorur dhe për t’u këndellur;
Për shkak të përdorimit të drogës rrallon ose shmang pjesëmarrjen në aktivitete të rëndësishme sociale, profesionale, argëtuese;
Injoron problemet sociale, psikologjike, fizike të cilat janë të shfaqura nga përdorimi i drogës.
Rol të rëndësishëm lidhur me mënyrën e parandalimit, mbështetjen, trajtimin kanë familja, institucionet relevante, profesionistët e shëndetit mendor etj.
Si faktorët mbrojtës dhe rol të rëndësishëm kanë marrëdhëniet pozitive në familje, lidhjet e forta familjare, mënyra e komunikimit, ndjenja e përkatësisë, angazhimi dhe përgjegjësia, krijimi i një identiteti për vetën dhe familjen janë faktorë mbrojtës dhe parandalues në përdorimin e substancave të ndryshme. Stilet e prindërimit, mënyra e komunikimit me adoleshentët dhe të rinjtë, duke vendosur rregulla të qarta, duke biseduar për pasojat, efektet e tyre.
Shkolla si institucion relevant, pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme rekreative duke ngrit tek nxënësit ndjenjën e përkatësisë, të qenit pjesë e shkollës me aktivitete të ndryshme dhe mundësia për konsumim, devijim është më e vogël, gjithashtu standardet e qarta komunitare, ligjet, politikat dhe normat e qarta kundër përdorimit të drogave ndikojnë në mbrojtjen e shëndetit tek të rinjtë.
Bashkëmoshatarët që nuk konsumojnë droga mund të ushtrojnë ndikim të fuqishëm në jetën e tjerëve. Nëse adoleshenti ka një rreth shokësh që nuk përdor drogë si dhe gjasat për konsumim janë më të vogla.
Ofrimi i shërbimeve nga profesionistët shëndetësorë, trajtimi dhe mbajtja e seancave në mënyrë individuale, grupore e familjare janë një mundësi për të evituar konsumimin e drogës si dhe për të ruajtur shëndetin psiko-emocional, fizik dhe social.
Ma. sc. Besnik Sherifi –
Psikolog klinik (specializant i psikologjisë klinike).