Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se votimi i fshehtë nuk përbën shkelje të Kushtetutës dhe mund të përdoret për zgjedhjen e Kryesisë.
“Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesi,” tha Murati.
Ai nënvizoi se të gjithë deputetët kanë obligim të marrin pjesë në votim dhe se kjo është bërë e qartë që nga dita e parë pas zgjedhjeve.
“Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë,” u shpreh Murati.
Vendimi i Kushtetueses i hap rrugë tejkalimit të bllokadës për konstituimin e Kuvendit, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të zgjedhur Kryetarin dhe Kryesinë.