Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar të gjithë krerët e partive politike të përfaqësuara në legjislaturën e re për një takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00.
Ftesa vjen një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas Kurtit thekson qartë se obligimi për konstituimin e Kuvendit u takon të gjithë deputetëve, e jo vetëm subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit“, tha Kurti.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta konstituojë veten për plot 36 herë, për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive politike rreth ndarjes së posteve udhëheqëse.