Opinion: Emrush Shkodra
Opinionisti Emrush T.Shkodra mendon se praktika e votimit të fshehtë nxjerr në pah logjikën e deformuar të ndërtimit të pushtetit, e realizuar “nën rrogoz”, larg syve të publikut, tregon një mungesë të thellë të besimit në qytetarë dhe në vlerat e demokracisë.
Forma e vazhdueshme e insistimit që votimi të bëhet me çdo kusht në mënyrë të fshehtë nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e kamufluar për të kapur pushtetin në mënyrë klandestine.
Kur nuk arrihet qëllimi përmes mjeteve të hapura, të drejta dhe dinjitoze, atëherë ndjeket rruga tinëzare, një praktikë e vjetër e politikës shqiptare. Në vend që të përballemi me opinionin publik dhe të kërkojmë mbështetje të sinqertë, manipulimi dhe joshja e individëve të caktuar prapa perdes bëhet me metoda të preferuara.
Përcaktimi me çdo kusht i numrit të votave për të kaluar një kandidat, jo në bazë të bindjeve politike apo përfaqësimit të vullnetit qytetar, por përmes pazareve të fshehta dhe tekeve individuale, flet qartë për një fenomen të përsëritur ndër dekada në politikën kosovare, që duket se nuk po ndryshon.
Qëllimet politike në Kosovë dhe në trojet shqiptare shpesh janë realizuar jo përmes fuqisë së ideve dhe votës së lirë, por përmes mjeteve të errëta, ku dominon fshehtësia dhe mungesa e transparencës.
Kjo logjikë e deformuar e ndërtimit të pushtetit, e realizuar “nën rrogoz”, larg syve të publikut, tregon një mungesë të thellë të besimit në qytetarë dhe në vlerat e demokracisë.
Politikanët i tremben transparencës, ndërsa në prapaskenë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që të realizojnë qëllimet e tyre personale apo grupore.
Në këtë kontekst, tinëzia, pabesia dhe mosmirënjohja nuk janë më përjashtime, por dukuri të shndërruara në rutinë të politikës shqiptare.
Këto nuk janë vetëm simptoma të një krize të thellë etike, por edhe tregues se sa larg kemi mbetur nga ndërtimi i një kulture politike të ndershme, të hapur dhe llogaridhënëse, me gjithë proklamimet se ne jemi ndryshe.
Ndryshe. Ndryshe nga kush?
[PS: “Nën rrogoz”, të veprosh fshehtas, me dredhi, pa transparencë, për të arritur një qëllim që ndoshta nuk do të pranohej nëse bëhej hapur.]