Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka ndarë 4 milionë euro mbështetje për mbulimin e kostos së policave për sigurimin falas për mërgimtarët që vijnë në Kosovë për pushime.
Ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 1 korrik.
“Në stinën e verës, të gjithë e dimë se vinë bashkatdhetarët tanë të dashur, mirëseardhja jonë e parë për ta është pikat kufitare. Duke filluar nga data 1 korrik të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilado prej pikës kufitare hyrëse. Për këtë qëllim sot do të ndajmë 4 milionë euro nga masa mbështetja për mërgatën e pakos së ringjalljes ekonomike”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë 625 mijë euro mbështetje për arsimin dhe lubimin institucional për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ky subvencionim përfshin bursat për student, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar.
“625 mijë e 400 euro do të ndajmë si mbështetje për arsimin dhe lubimin institucional për shqiptarët Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duke përfshirë bursa për student, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar. Gjatë qeverisë sonë jemi siguruar që lidhja jonë dhe kujdesi për shqiptarët e Luginës të jetë institucional dhe financiar”, ka theksuar Kurti.