Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se do të bëjë “çmos” për konstituimin e Kuvendit, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Ai tha se diskutuan “gjerë e gjatë” për situatën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha Kurti.
Ai tha se “do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”.
Kurti tha se në takim u përmendën “të gjitha elementet përbërëse”. Pas takimeve që ajo do t’i ketë edhe me liderët e partive tjera politike, ai tha se do të kuptohet “sa kemi bërë përparim”.
“I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike, e mbase në fund do të mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj që duhet t’ua japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”.