Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se mbetet që në takimet tjera që i ka planifikuar presidenca të qartësohet se a ka ndryshuar “kryeneçësia e LVV-së”.
Krasniqi u deklarua se pret që konsultat me presidenten të jenë në funksion të gjetjes së një rrugëdaljeje për konstituimin e Kuvendit.
“Përveç tjerash diskutuam për gjetjen e konsensusit apo kompromisit. Unë shpresoj që këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera, të cilat i ka planifikuar presidentja të qartësohet se a ka apo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të LVV-së dhe Albin Kurtit që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, tha ai para gazetarëve.
“Për PDK-në është e qartë, qëndrimin ia shpreha edhe presidentes që Aktgjykimi i Kushtetutës e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, sepse e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës dhe rendi i ditës është ai që taksativisht është i shkruar edhe në rregulloren e Kuvendit, por po ashtu është konfirmuar edhe në mbledhjen e 8 prillit, kur është përgatitur seanca” , tha ai.