Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të heqë dorë nëse nuk arrin të sigurojë 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Haradinaj u shpreh para Kuvendit, në prag të tentimit të 41-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, duke thënë se “e keqja e Kosovës është Kurti” dhe se ai duhet të lëshojë rrugë nëse nuk ka shumicën e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, para Kuvendit po zhvillohen protesta nga shoqëria civile dhe avokati Arianit Koci, i cili solli katër gomarë si simbolikë proteste.
Ky është përpjekja e 41-të që prej 15 prillit për konstituimin e Kuvendit, por deri tani nuk është arritur shumica prej 61 votash për zgjedhjen e kryetarit të tij. Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i saj po përpiqen të zgjedhin Albulena Haxhiun në këtë pozitë, por partitë opozitare e kundërshtojnë kandidaturën.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime me krerët e partive parlamentare shqiptare për të ndërmjetësuar dhe për të kapërcyer krizën institucionale, duke bërë thirrje për arritjen sa më të shpejtë të pajtueshmërisë për konstituimin e Kuvendit.