Klubi futbollistik FC Kosova nga Zürich ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, lidhur me pjesëmarrjen e Arbër Ismajlit në një darkë miqësore të organizuar nga klubi.
Përmes një reagimi publik, kapiteni Begzad Ibishi thekson se sporti nuk duhet të përdoret për përçarje politike dhe se figurat që kanë kontribuar për të duhet të respektohen, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve.
Statusi i plotë:
Reagim publik nga FC Kosova nga Zürich, kapiteni Begzad Ibishi
Me keqardhje dhe habi kemi pranuar deklaratën e bërë nga Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, z. Kushtrim Zeqiri, lidhur me pjesëmarrjen e z. Arbër Ismajli në darkën miqësore të organizuar nga klubi ynë FC Kosova në nder të veteranëve të futbollit SC Gjilani dhe FC Kosova.
Në emër të klubit dhe si kapiten i ekipit, dua të theksoj se z. Arbër Ismajli ishte i ftuar zyrtarisht dhe me respekt të plotë nga ana jonë. Ftesa ndaj tij nuk ka pasur asnjë prapavijë politike, por ishte një shprehje mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë sportit, komunitetit tonë në mërgatë dhe vetë klubit FC Kosova Zürich ndër vite.
Për ne, sporti është vend i bashkimit, jo i ndarjes. Është hapësirë respekti për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë. Është e papranueshme që një pjesëmarrje në një darkë miqësore të paraqitet në opinion si ndërhyrje apo si përpjekje për përfitim politik.
Deklaratat që cenojnë figura që kanë qenë gjithmonë pranë sportit, pa dallime politike apo pozita, janë të dëmshme dhe përçarëse. FC Kosova nuk është arenë e debateve politike dhe nuk lejojmë që veprimtaria jonë të përdoret për qëllime të ulëta.
Apelojmë për më shumë maturi dhe respekt nga institucionet vendore në Kosovë, veçanërisht kur flasim për sportin, një fushë që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë.
Me sportivitet, korrektësi dhe respekt për secilin që kontribuon:
Kapiteni i FC Kosova Zürich,
Begzad Ibishi