Gjimnastikën e do shumë, andaj shumë e re ia ka nisur të merret me këtë sport elegant, kurse tashti, kur ka nisur të jetë e rregullt në gara, Aria Kërqeli nga shumëkush shihet si e ardhmja e gjimnastikës kosovare.
Ndonëse i ka vetëm shtatë vjet, Aria, në moshën katërvjeçare kishte përzgjedhur sportin e gjimnastikës dhe fillimisht ishte regjistruar në Klubin e Gjimnastikës “Halil Alidema” me trajner Hazir Alidemën.
Ajo është e rregullt në ushtrime, e përkushtuar dhe punon pa përtesë dhe tashti për çdo vit merr pjesë në garat të cilat i organizon Federata e Gjimnastikës së Kosovës dhe nga to gjithnjë klubit të saj i sjell lëvdata, mirënjohje e kupa.
Siç thekson kryetrajneri Hazir Alidema, më 28 qershor të këtij viti, Federata e Gjimnastikës së Kosovës ka organizuar garat e nivelit B, ku Aria është paraqitur në garat e para yllkave në disiplinën kapërcime dhe është stolisur me vendin e dytë dhe me plotë meritë është nderuar me medalje dhe mirënjohje.
Kjo garuese edhe në vitin e kaluar ishte stolisur me dy medalje e mirënjohje në disiplinën parter dhe tra ekuilibror dhe që atëherë kishte dëshmuar se është një gjimnaste që me hapa të sigurt po marshon drejt majave të gjimnastikës, duke dëshmuar se ajo ka një të ardhme të ndritur, ngase është shumë e përkushtuar dhe e disiplinuar në punë e rregullt në ushtrime dhe që ka përkrahjen e madhe të prindërve e të familjarëve të saj.
Aria Kërqeli është edhe nxënëse shembullore në shkollë dhe tashti, kur gjimnastike si sport i ri në Kosovë ka marrë vrull edhe në Rajonin e Anamoravës shumë të reja kanë nisur të merren me këtë sport, i cili çdo ditë e më tepër është duke u ngritur, falë profesorit e pedagogut Hazir Alidema, i cili siç thekson edhe vetë është shumë krenarë me punën dhe sukseset që i ka Aria Kërqeli, por edhe gjimnastet e tjera të Klubit të Gjimnastikës “Halil Alidema”.
Për emrin e gjimnastes Aria Kërqeli edhe më tepër do të dëgjohet në të ardhmen, ngase ajo me potencialin që ka pritet të bëhet një gjimnaste e njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. /kryelajmi.com/.