Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, vizitoi ekspozitën “Retrospektivë” të artistit Zeqirja Rexhepi, e cila u hap në Galerinë e Arteve të qytetit.
Ismajli vlerësoi punën dhe kontributin e artistit të njohur gjilanas, duke e cilësuar ekspozitën si një rrëfim të fuqishëm artistik që prek shpirtin, kujtesën dhe krenarinë kombëtare.
Ai theksoi rëndësinë që kultura dhe arti të kenë përkrahje të vazhdueshme në qytet, duke premtuar hapësira të reja për krijimtari në mandatin e tij të ardhshëm.
Statusi i plotë:
Në Galerinë e Arteve të qytetit tonë, u hap një ekspozitë që nuk ishte vetëm ekspozitë. Ishte një udhëtim përmes shpirtit, dhimbjes dhe krenarisë kombëtare. Zeqirja Rexhepi, biri i këtij vendi, pas dekadash krijimtarie në mërgatë, u rikthye në Gjilan për të na dhuruar ekspozitën “Retrospektivë”, një rrëfim i fuqishëm artistik për ne, për ju, për të gjithë ata që kanë ndjerë mallin, largësinë dhe dashurinë për vendlindjen.
I jam thellësisht mirënjohës Zeqës për këtë dhuratë shpirtërore. Kjo ekspozitë është pasuri për qytetin tonë dhe një dëshmi se arti nuk njeh kufij. Për Komunën e Gjilanit, për mua personalisht, është obligim e nder që të krijojmë hapësira ku kultura, arti dhe krijimtaria të gjejnë përkrahje të vazhdueshme. Sepse pa kujtesën kulturore, një qytet humb frymën e vet.
Faleminderit të gjithë artdashësve që ishin me në mbështetje të këtij artisti të jashtëzakonshëm. Gjilani do të vazhdojë të jetë një vend ku nderohet arti, vlerat dhe njerëzit që i japin kuptim emrit të këtij qyteti.