Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi gjatë ditës kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec, raporton RTK me konfirmim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Reagime të ashpra kanë pasuar nga organizatat e dala nga lufta, përfshirë OVL-në (Organizatën e Veteranëve të Luftës), Shoqatën e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD).
UVL-UÇK e kanë cilësuar fjalimin e Popoviqit si provokim dhe shprehje të mentalitetit të mbështetësve të kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, që, sipas tyre, sot përfaqësohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i regjimit gjenocidal.
Në reagimin e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, thuhet se: “Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndaluar me vendosmëri. Ne nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë.”, thuhet në reagimin e tyre.