Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për nxitje të tensioneve në rajon.
Ai në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ku ka folur për arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësi.
Ai i ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se arrestimi i Popoviqit “mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.
“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të bëra më 20 korrik sivjet janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shoqërore. Në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon sikur që deklarimet e Popoviqit, po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”, ka theksuar Kurti.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. I ftojmë qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe ruajtje të unitetit dhe qetësisë. Po ashtu i bëjmë thirrje BE-së, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit, që nuk janë thjeshtë deklarime politike, por pjesë e një fushate të mirëorganizuar për destabilizimin e Kosovës e të rajonit tonë”, ka deklaruar Kurti.
Gjykata Themelore e Prishtinës të dielën ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Popoviqit.
Masa i është caktuar me kërkesë të prokurorisë, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Popoviq, dyshohet se më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.
Arrestimi i tij është bërë po atë ditë, në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak.