Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot nga afër punimet që po zhvillohen në ndërtimin e Stacionit të Autobusëve, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin.
Gjatë inspektimit, Hyseni është shprehur i kënaqur me ecurinë dhe ritmin e punimeve, duke theksuar se projekti po ecën me dinamikën e duhur dhe në përputhje me planin e paraparë.
“Stacioni i Autobusëve po merr formë. Jemi të kënaqur me përparimin dhe cilësinë e punës që po kryhet. Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit, i cili do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e shërbimeve të transportit publik,” u shpreh Hyseni.
Ai vlerësoi angazhimin e kompanisë zbatuese dhe bashkëpunimin institucional që po mundëson zbatimin efikas të këtij projekti.
Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve pritet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara, duke i dhënë qytetit një hapësirë moderne dhe funksionale për transportin urban e ndërurban./Radio Star/