Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi se Serbia aktualisht nuk mund të përgatis ndonjë sulm të ngjashëm me Banjskën ose kanalin Ibër Lepencit, kundër Kosovës.
Kjo pasi që sipas tij, Serbia ka probleme të brendshme.
Këtë ai e tha në Edicionin Special në Klan Kosova.
“Të cilat nuk ka kapacitet dhe dije që t’i zgjidh”, tha ai.
Por, Mustafa paralajmëroi rrezikun se aparati shtetëror serb do të mundohet që krizën ta gjuajë edhe tek shtetet fqinje, si Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Ai tha se popullata e kupton realitetin në Kosovë, ashtu siç e kuptojnë disa liderë politik, që hapur pranojnë që “Kosova ka dalur nga duart e Serbisë”.
“Janë retorike e rregullt e politikës serbe në Beograd, gjithmonë duke u përpjekur që ta denigrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sigurisht për ushtrinë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, as që e përmendin. Dhe në këtë drejtim nuk mund të pritet kurrë nga autoritetet e Beogradit të mos e denigrojnë UÇK-në, për ta gjithçka që është shqiptare është terroriste”, tha Mustafa.
Mustafa tha se deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas arrestimit të Popoviqit për shkak të fjalimit kundër UÇK-së në Rahovec, janë politike, duke shtuar se përpiqet t’iu ik takimeve.