Sot është regjistruar temperatura më e lartë ndonjëherë në historinë e qytetit të Gjilanit, duke shënuar një ditë ekstreme për motin në këtë pjesë të vendit.
Sipas njoftimit të fundit nga MeteoKosova, temperatura ka arritur në 41°C (saktësisht 40.8°C), bazuar në të dhënat e marra nga Stacioni Personal Meteorologjik profesional në Gjilan.
Kjo është vlera më e lartë e matur ndonjëherë në qytet, duke thyer çdo rekord të mëparshëm dhe duke e bërë këtë një ditë historike për klimën lokale.
Vapa ekstreme ka përfshirë gjithë rajonin, ndërsa MeteoKosova njofton se të dhënat zyrtare nga ky stacion do të dërgohen për verifikim dhe arkivim ndërkombëtar, përfshirë edhe në Organizatën Botërore të Meteorologjisë (WMO).
Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të kujdesen për hidratim, sidomos të moshuarit dhe fëmijët.