Kanë vazhduar dëgjimet buxhetore me qytetarë për planifikimin buxhetor për vitet 2026-2028.
Dëgjimi është mbajtur në Përlepnicë, ku ishin edhe përfaqësues të këshillave të fshatrave dhe banorë të fshatrave Kmetoc, Shillovë, Miresh e Vërbicë, të cilët kanë prezantuar projektet e tyre.
Derisa dëgjimi tjetër është mbajtur me komunitetet jo shumicë në qendrën rinore të qytetit, ku përfaqësuesit e komuniteteve kanë propozuar realizimin e disa projekteve jetike për banorët.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, para pjesëmarrësve tha se janë aty për konsultime me banorët të cilët mund të paraqesin projektet e tyre që duan të realizohen në lokalitetet e tyre.
Ai tregoi se buxheti i vitit 2026 pritet të jetë mbi 41 milionë euro.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se janë këtu për të marr kërkesat e qytetarëve lidhur me planifikimin e buxhetit për vitet e ardhshme,
Ajo inkurajon qytetarët që të japin propozimet e tyre për të ardhmen e vendbanimeve të tyre se çfarë duan të realizohet.
Sipas saj vetëm në këtë formë rritet besimi në institucionin e komunës.
Edhe nënkryetari për komunitete Kadir Hyseini, tha se dëgjimet buxhetore kanë rëndësi të madhe, pasi që kërkesat e qytetarëve sidomos ato të komuniteteve do të jenë në buxhetin e viteve të ardhshme.
Drejtoresha e Administratës, Arbenita Sopi Haziri, tha se qëllimi i konsultimeve është pranimi i kërkesat e banorëve e të cilat do inkorporohen në buxhetin e viteve të ardhshme 2026-2028.
Në takim ishte edhe këshilltarja komunale e LVV-së Krenare Latifi Kçiku dhe zyrtarë nga Drejtoria për Buxhet e Financa.
Po ashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Demos/Helvetas dhe OSCE-ja.