Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka konfirmuar zyrtarisht synimin e tij për të kërkuar një mandat të dytë në krye të komunës. Ai shprehet i bindur se ky mandat do të shërbejë për të çuar përpara investimet që tashmë kanë hyrë në fazën e realizimit dhe përmbylljes, duke i dhënë qytetit zhvillimin e merituar.
Në një deklaratë publike, Hyseni theksoi se mandati i parë ishte i mbushur me sfida, sidomos në përballjen me borxhet e trashëguara dhe me pritshmëritë e larta për zhvillim. “Qeverisja jonë është përballur me sfida të mëdha financiare dhe operative, por kemi qëndruar të përkushtuar në mbarëvajtjen e projekteve dhe planifikimeve afatgjata për qytetin,” tha ai.
Një nga pikat që Hyseni e vuri në pah me krenari ishte integriteti institucional. “Gjatë kësaj qeverisjeje, asnjë nga drejtorët komunalë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë aferë korruptive. Kjo është një arritje e rëndësishme për të cilën ndjehem krenar,” u shpreh ai.
Aktualisht, në Gjilan janë duke u zhvilluar projekte infrastrukturore dhe sociale me vlera të konsiderueshme financiare, të cilat, sipas kryetarit Hyseni, po e ndryshojmë rrënjësisht qytetin:
•Stacioni i autobusëve – 1 milion euro
•Qendra Kulturore (KultQendra) – 1.28 milion euro
•Rruga “Hamdi Kurteshi” – 2.4 milion euro
•Qendra për të moshuar, kuzhina humanitare dhe bujtina për studentë – 2.5 milion euro
•Renovimi i palestrës së sportit – 2.8 milion euro
•Shkolla e Mesme e Mjekësisë – 3.3 milion euro
•Stadiumi i qytetit – 13 milion euro
•Rrjeti i ujësjellësit (projekti Flows) – 15 milion euro
Vlera totale e punëve në realizim është 41.28 milion euro.
Ndërkohë, janë në pritje për të filluar apo janë në proces të vlerësimit të ofertave këto projekte të tjera madhore:
• Ndërtimi i rrugëve në Malësinë e Zhegocit – 1.7 milion euro
•Ndërtimi i 6 rrugëve të qytetit – 3 milion euro
•Rindërtimi i qarkores ekzistuese – 3.45 milion euro
•Ndërtimi i unazës së jashtme – 9 milion euro
•Bulevardi i qytetit – 18 milion euro
•Impianti i ujërave të zeza – 25 milion euro
Këto projekte të planifikuara kapin vlerën prej 60.15 milion euro.
“Dua të vazhdoj me tërë qenien time, ballëhapur para qytetarëve, në realizimin e projekteve që i kemi nisur dhe që do të shtohen në mandatin e ardhshëm. Ky është angazhimi im i plotë,” tha Hyseni.
Me këtë mesazh, Alban Hyseni i hap rrugë një fushate që fokusohet në transparencë, zhvillim dhe vazhdimësi – duke e vendosur theksin te besimi që qytetarët kanë ndërtuar përballë një administrate që, sipas tij, ka ruajtur pastërtinë dhe ka mbajtur fjalën./Radio Star/