Një rast tronditës ka ndodhur ditën e djeshme në Lipjan, ku një trup i pajetë është gjetur i groposur, teksa dyshimet janë për vrasje të rëndë.
Trupi i gjetur dyshohet se është i një burri që është raportuar i zhdukur qysh të dielën, shkruan Reporteri.net.
Familjarët e tij kishin deklaruar se i njëjti nuk është parë nga ora 16:00, e ditës së diele.
Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila ka thënë se bazuar në rrethanat fillestare dyshohet për vrasje të rëndë.
Trupi është dërguar për autopsi dhe identifikim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedural ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim. Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet për vrasje të rëndë. Aktualisht, hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës”, ka deklaruar Ahmeti.
Kushëriri i viktimës, Avni Bajraktari tha mbrëmë në Klan Kosova se viktima kishte çuar lopën për kullotë në ara, para se të zhdukej.
“Unë si fillim jam kanë në një lokal ku shkojmë çdo mëngjes për kafe, kam taku një kojshi dhe më tha e e gjetët Velin, tha jo Veli s’o. E kam thirr kushëririn tjetër, Besartin, i cili tha se u zhduk prej djeshit. Kanë thirrë dronin policia. Kemi dal krejt teposhtë, rend komplet. Unë isha me një vëlla temin dhe një kojshi tjetër, kur shkum pak si poshtë, në dalje prej kollomoqit, tha diçka paska shku qisajd. Dhe për qatë gjurmë jena shku dhe e gjetëm venin. Nonstop me ne kanë qenë njësite policore”, tha Avni Bajraktari.