Para ndeshjes së parë kundër FCSB-së në kuadër të Conference League, trajneri Zekirija Ramadani dhe kapiteni i skuadrës, Faton Maloku, u paraqitën në konferencë për shtyp përballë mediave rumune, ku folën për përgatitjet, kundërshtarin dhe pritshmëritë nga kjo përballje e rëndësishme.
Zekirija Ramadani, në fjalën e tij, theksoi se përballja me gjigantin rumun nuk do të jetë e lehtë, por ekipi i tij është i motivuar dhe i përgatitur për sfidën:
“Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB.”
I pyetur nëse u befasua nga eliminimi i FCSB-së nga Shkëndija, Ramadani u përgjigj me bindje:
“Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm.”
Ai shtoi se skuadra e tij është e fokusuar maksimalisht, pavarësisht zërave për krizë te kundërshtari:Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB.
Në lidhje me deklaratat e fundit nga ana e trajnerit dhe presidentit të klubit rumun, Ramadani tha:
“Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll.”
Faton Maloku, kapiteni i skuadrës, u shpreh se ekipi është në formë të mirë dhe i vendosur për të ndjekur udhëzimet e trajnerit me qëllim arritjen e një rezultati pozitiv:
“E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.”