Oficer Kadeti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Fatlind Imeraj, ka përfunduar me sukses shkollimin njëvjeçar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar. Ceremonia e diplomimit u drejtua nga General Sir James Hockenhull, në emër të SH.T. Mbretit Charles III.
Akademia Sandhurst është një institucion prestigjioz ushtarak që përgatit oficerët për të shërbyer në pozita të ndryshme në forcat e armatosura, duke mbuluar fusha si parimet bazë të ushtrisë, udhëheqjen, taktikat dhe operacionet ushtarake.
Fatlind Imeraj është kadeti i 32-të nga FSK që e përfundon këtë shkollim të avancuar.
Në ceremoninë e diplomimit nga Forcat e Sigurisë së Kosovës morën pjesë edhe Kolonel Ahmet Ajeti, Kolonel Ali Krasniqi, Atasheu i FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar, Kolonel Agron Bajrami, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Republikës së Kosovës, Znj. Arta Qehaja dhe Z. Ilir Bytyqi.
Forcat e Sigurisë së Kosovës falënderojnë Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin dhe edukimin e oficerëve të Kosovës, siç është theksuar në njoftimin zyrtar.