Mungesë e stafit nëpër reparte, mungesë e medikamenteve parësore. Kjo e përmbledhë QKUK-në!
Janë të shumta rastet kur qytetarëve nuk u ofrohen shërbimet e duhura në pothuajse të gjitha repartet e QKUK-së.
Së fundmi, në neglizhencë totale nga i gjithë stafi mjekësor ka hasur një qytetar i cili ishte rrëzuar duke punuar në ndërtimtari.
Qytetari A.G., ka treguar për Indeksonline se mëngjesin e të mërkurës, mjeku kujdestar ka dhënë infuzionin e fundit në orën 3 të mëngjesit dhe më pas është larguar. Deri në orën 9, në korridoret e Emergjencës nuk është parë asnjë mantelbardhë.
Në videon që qytetari e ka dërguar në redaksinë e Indeksonline shihen pacientët që presin në Emergjencë. Po ashtu, salla e operacionit shihet e zbrazët, ndërsa as në informata nuk punohet.
Pacienti që ishte lënduar rëndë, i duhej ndihmë urgjente meqë kishte në fytyrë një shufër metalike.
Mjekët, sipas qytetarit, nuk kanë arritur deri kur ka nisur ndërrimi në orën 8 e 45 minuta në mëngjes.
Pacientit që i duhej të operohej, është vëllai i qytetarit që ka sqaruar rastin për Indeksonline. I njëjti ka treguar se të vëllanë ia patën shtruar në spital, por që nuk e kanë operuar deri në orët e mesnatës.
Ndryshe, është ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ai që ka premtuar përmirësim të shëndetësisë dhe kushte të punës në QKUK, por kjo nuk ka ndodhur. Madje, pacientët çdo ditë e më shumë po e humbin shpresën dhe besimin tek mjekët dhe stafi i QKUK-së./Indeksonline/