Organizata “Përpjekja” ka zhvilluar sot një aksion simbolik pranë Gjykatës së Gjilanit, në shenjë revolte për ngjarjet e rënda të ditëve të fundit. Aktivistët kanë shënuar grafite në hyrje të Gjykatës dhe Prokurorisë me mbishkrimin: “I keni duart me gjak”, duke akuzuar institucionet e drejtësisë për neglizhencë dhe dështim në parandalimin e krimeve.
Ky është postimi:
Rasti i ditës së djeshme në qendër të Gjilanit është tragjik për nga numri i viktimave, por është edhe më dramatik dhe ogurzi për sa i përket ekspozimit të një sistemi gjyqësor i cili më shumë se i dështuar e i paaftë ngjan edhe si bashkëpuntor në korrupsion kriminal. Dorasit e krimit makabër rezutoi se kanë qenë mbi 30 herë në derën e prokurorisë si të dyshuar e akuzuar për shkelje e vepra të rënda penale, e megjithatë, ata sot në kushte lirie të plotë kryen një akt që më shumë se na tronditi na e nxori zbuluar paaftësinë e shtetit për të na mbrojtur nga keqbërësit ordinerë.
Të mërzitur dhe të revoltuar nga ngjarja, ne vendosëm që ta shkruajmë në muret e Gjykatës atë që sot është thënë e stërthënë në të gjitha tavolinat e diskutimet në të katër anët e qytetit e mbarë Kosovës. Parullat tona janë një ekspozim grafik i asaj të vërtetë që sot u shfaq lakuriq, për të na treguar dhe për të na kërcënuar me heshtje, sepse si dorasit e sotëm, edhe shumë kriminelë të tjerë mund ta kenë blerë lirinë në këto gjykata të cilat duket se e shesin më lirë se mallin e tregut.
Ne do e themi të vërtetën dhe do luftojmë për të edhe sikur të gjitha gjykatat dhe e gjithë policia të na vihen mbi shpindë.
Megjithatë, duhet thënë edhe se nëse organet e shtetit do vepronin me të njejtin zell kundër fajdexhinjëve, hajdutëve, mashtruesve e vrasësve, siç veprojnë ndaj aktivistëve për shkrimin e parullave, këto të fundit s’do kishin arsye të ndodhnin fare.