Dyert e Kirurgjisë së Spitalit të Gjilanit janë të grisura, dhe gjendja e përgjithshme në këtë institucion shëndetësor lë shumë për të dëshiruar. Sot, një pacient nuk e ka të qartë nëse po hyn në një spital për t’u trajtuar me dinjitet apo në një vend ku kujdesi shëndetësor është lënë pas dore.
Kur politika ndërhyn në shëndetësi, pritshmëritë janë minimale. Kur emërimet bëhen nga lart dhe jo mbi bazën e meritës, është e qartë çfarë rezultati mund të presësh.
Spitali i Gjilanit është një pasqyrë e qartë e gjendjes së shëndetësisë në Kosovë: mjekë që punojnë kryesisht në klinika private dhe në spital publik paraqiten vetëm për të marrë rrogën. Më pas, ata i drejtojnë pacientët në klinikat e tyre private duke thënë: “Pas orës 16:00 jam aty”.
Edhe menaxhmenti i ri nuk jep shpresë për ndryshim. Qysh në fillim vërehet mungesa e vullnetit për përmirësim, sepse edhe ky emërim është bërë për arsye politike, me figura pa meritë dhe të papërgatitura për të udhëhequr një institucion kaq të rëndësishëm./Radio Star/