Skuadra gjilanase Drita do të zhvillojë sonte ndeshjen kthyese ndaj Steauas së Bukureshtit, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, me synimin e vetëm fitoren dhe kalimin tutje në garat evropiane.
Të udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani, bardhekaltërit kërkojnë të hakmerren për humbjen në ndeshjen e parë, ku Steaua arriti të përmbyste rezultatin nga 0-2 në 3-2.
Pritet një mbrëmje me emocione të mëdha dhe atmosferë të zjarrtë në kryeqytet, pasi Drita ka një mundësi reale për të kaluar më tej. Skuadra rumune, sipas raportimeve, përballet me probleme të shumta, me plot 8 lojtarë të lënduar.
Takimi fillon nga ora 20:00 dhe pritet të tërheqë një numër të madh tifozësh, të cilët do të jenë forca shtesë për Dritën në këtë sfidë vendimtare.