Me 10 gusht, në një kafiteri afër objektit të komunës së Gjilanit, ndodhi një përleshje e armatosur që tronditi gjithë vendin. Nga të shtënat me armë, humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, shkruan Insajderi.
Të vrarë mbetën: Selami Hasani, një argjendar i njohur në qytet, djali i tij, Edmond Hasani, dhe Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës, dhëndri i Selami Hasanit.
Ndërsa të plagosur: Bujar Hoxha, në gjendje të rëndë por stabile në QKUK, dhe Naim Hoxha, vëllai i tij, me lëndime të lehta, i cili tashmë është intervistuar nga policia.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti kishte nisur muaj më parë – kur Bujar Hoxha e kishte denoncuar për fajde Mefail Shkodrën, i cili ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu, por më pas ishte liruar.
Përmbaruesi Përparim Xhelili kishte bllokuar llogaritë bankare të Bujar Hoxhës, për shkak të një borxhi për një Audi Q5, të blerë nga vetë Mefail Shkodra.
Takimi tragjik ishte thirrur pikërisht për këtë çështje – me kërkesën e Edmond Hasanit – por gjithçka përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, shkruan Insajderi.
Sipas burimeve, takimi ndodhi në kafenenë ku Mefail Shkodra pinte rregullisht kafen e tij. Në fillim aty ishin vetëm Edmond Hasani dhe Naim Hoxha.
Më pas, në lokal shfaqet Bujar Hoxha, i shoqëruar nga babai i tij Abedin Hoxha, dhe vjehrri Selami Hasani. Në atë moment, Mefail Shkodra shihet duke u përpjekur t’i ndalojë:
“Unë jam në proces penal, nuk guxoj me u zatet me Bujarin”, – thotë ai.
Ai çohet për të kontaktuar policinë, por përleshja eskalon në sekonda.
Sipas dëshmive, viktimat dyshohet se e kanë filluar përleshjen. Megjithatë, nga pamjet ekskluzive të Insajderit, edhe pala e Mefail Shkodrës nuk ka dalë pa pasoja.
Djemtë e tij, Edonis dhe Engjell Shkodra, janë në arrati, por besohet se të dy janë të plagosur.
Engjelli ka plagë në krah, ndërsa Edonisi është në gjendje të rëndë, me goditje në pjesën e pasme të kokës.
Aktualisht, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij janë në kërkim nga policia e Kosovës.
Ngjarja vazhdon të jetë në hetim intensiv, ndërsa shoqëria kosovare pret drejtësi për një konflikt që përfundoi me pasoja tragjike.
Insajderi ka siguruar edhe biseda të realizuara para takimit. Edhe aty Mefail Shkodra kërkon që në takim të mos jetë Bujar Hoxha.
Pos tjerash Shkodra dëgjohet duke thënë Hoxhës “Unë as nuk jam kanë e as nuk jam asi, veç ma kanë ngjitë. Nuk kam me t’dhanë. Bile sot kanë dalë me ble harxh se zibidi jemi mbetë. Shko thuj që “nuk kam shpi, hajde merrma shpirtin. Qe mere temen shite, ama mos m’lyp se nuk kam”, shkruan Insajderi.