Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka shprehur shqetësim të madh lidhur me gjendjen ekonomike në qytet, duke theksuar se tash e katër vite asnjë investim i huaj nuk ka arritur në komunë.
Sipas tij, mungesa e politikave zhvillimore dhe e mbështetjes institucionale ka bërë që të gjithë donatorët dhe investitorët e jashtëm të largohen nga Gjilani, duke e lënë qytetin pa mundësi rritjeje ekonomike.
E dhimbshme dhe shqetësuese është fakti se tash e katër vite asnjë investim i huaj nuk ka arritur në komunën tonë. Krejt donatorët dhe investitorët e jashtëm na kanë braktisur, duke lënë qytetin tonë pa mundësi zhvillimi dhe rritje ekonomike”, ka deklaruar Ismajli.
Ai ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se me politikat e saj ka dëmtuar rëndë sektorin privat dhe bizneset, duke mos ofruar asnjë mbështetje reale për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për tërheqjen e investimeve.
Qeverisja aktuale ka shkatërruar bizneset dhe ka izoluar komunën tonë nga investimet e huaja. Pa zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë mirëqenie për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.
Ismajli theksoi se LDK-ja mbetet e përkushtuar për të rikthyer investitorët në Gjilan dhe për të hapur perspektiva të reja zhvillimi, duke ofruar qeverisje transparente dhe partneritet me sektorin privat.