Gjykata Speciale në Hagë ka ndaluar vizitat e 11 personave tek Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes për pengim të drejtësisë. Mes tyre janë Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona me emra të redaktuar.
Prokuroria kishte kërkuar ndalim vizitash edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e refuzoi këtë, duke theksuar se kontakti me familjen është e drejtë thelbësore, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të Thaçit.
Sipas Prokurorisë, disa vizitorë kanë marrë udhëzime nga Thaçi për t’i përcjellë te dëshmitarët, ndërsa gjykata konstatoi se ekzistojnë tregues të besueshëm për shpërndarje të informacioneve konfidenciale. Kufizimet vlejnë vetëm për individët tek të cilët janë identifikuar këto rrethana.
Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për të kufizuar bisedat e Thaçit gjatë vizitave u hodh poshtë si e panevojshme dhe joproporcionale. Vendimi do të rishikohet çdo tre muaj.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pengim të drejtësisë, së bashku me ish-krerë të tjerë të UÇK-së.