SISTEMI I DREJTËSISË PO VRET
Rasti i fundit ku tre qytetarë mbetën të vrarë nga fajdexhinjtë nuk është tragjedi e izoluar, por fotografia më e qartë e një sistemi të drejtësisë që ka kohë që i ka kthyer shpinën popullit. Sistem që mbron kriminelët dhe i len viktimat në mëshirë të fatit. Sistem që jo vetëm është i dështuar, por në shumë raste duket si bashkëpunëtor i heshtur i fajdexhinjve, mafisë financiare dhe politikës.
Që prej pasluftës, rreth 3 miliardë euro janë derdhur nga bashkësia ndërkombëtare për ndërtimin e kapaciteteve të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë. Dhe sot, në vitin 2025, çfarë kemi? Prokurorë e gjykatës që marrin paga deri në 3000 euro në muaj, disa prej tyre madje me truproja, por që dështojnë ta mbrojnë qytetarin nga fajdexhinjtë dhe krimi i organizuar. Çfarë i ndalon këta njerëz të bëjnë punën e tyre? Nuk është mungesa e resurseve, por është mungesa e vullnetit, mungesa e integritetit dhe kapja nga interesa të errëta.
Ndërkohë, qytetarët, të shtrydhur nga kamatat e larta bankare, detyrohen t’i drejtohen fajdexhinjve për mbijetesë. Dhe më pas përfundojnë rob të borxhit, viktima të dhunës, e shpesh, si rasti i fundit, viktima të vrasjes. Ky është kulmi i drejtësisë selektive, ku të pasurit dhe të lidhurit me pushtetin mbrohen, ndërsa të varfrit dhe të pambrojturit sakrifikohen.
Nuk mjafton të qajmë viktimat. Duhet të themi të vërtetën lakuriq: ky sistem po na vret. Po vret shpresën, po vret dinjitetin, po vret jetët tona. Dhe nuk ka reformë më të vonuar se Vettingu i menjëhershëm, pastrimi nga themelet i gjyqtarëve dhe prokurorëve që e kanë shndërruar drejtësinë në mall tregu.
Ne nuk po protestojmë vetëm për tre viktimat. Po protestojmë për të gjithë ata që kanë rënë e po bien çdo ditë nga padrejtësia, nga varfëria dhe nga një shtet që i shërben të fortëve dhe jo qytetarëve.
Të gjithë bashkë më 22 gusht, ora 12:00, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë.
Sepse heshtja është bashkëfajësi. Sepse drejtësia nuk vjen vetë, duhet ta kërkojmë, duhet ta marrim.