Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ndërsa ka komentuar aktvendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kjo e fundit ka treguar rrugën se si të dilet nga “qorrsokaku ku jemi futur”, andaj, sipas saj, AAK-ja do të jap kontributin e saj edhe me votë për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës.
“Afati prej 30 ditësh, është më se i mjaftueshëm për propozime të reja e për konstituimin e Kuvendit. Aleanca si parti parlamentare do ta japë kontributin e saj, edhe me votë, për zhbllokimin e konstituimit të Parlamentit, duke e zbatuar në plotni aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është iniciuar muaj më parë prej nesh”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.
Në vlerësimin e saj çdo veprim tjetër “është kundër interesave të shtetit”.
“Nesër duhet të marrin fund lojërat politike dhe të nisë punën parlamenti i ri e t’i hapet rrugë krijimit të qeverisë”, ka shtuar ajo.
Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, me fillim në ora 11:00, do të mblidhen, sërish, për të vazhduar seancën konstitutive, pas një pauze si rezultatit i vendosjes së masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetueses.
Më 18 gusht, ka nisur, për të dytën herë me radhë, rrjedhja e afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë. Në aktgjykim nuk përmenden pasoja konkrete nëse Kuvendi dështon ta respektojë vendimin.
Aktgjykimi i Kushtetueses është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.