Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur para ndeshjes ndaj Differdange, duke theksuar se skuadrën e tij e pret një duel i vështirë kundër një kundërshtari të njohur nga raundi i parë i Ligës së Kampionëve.
Drita dhe Differdange do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e parë të ‘Play-off-it’ në Europa League.
“Differdange është kundërshtar shumë i vështirë për t’u depërtuar në mbrojtje. Duhet të kemi durim dhe qasje profesionale si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ata nuk lënë hapësira, por ne duhet të insistojmë, të këmbëngulim dhe të jemi më ofensivë,” tha Ramadani.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së portës të paprekur dhe marrjes së një epërsie, qoftë edhe minimale në duelin e nesërme.
“Do të isha shumë i lumtur nëse do të udhëtonim me një epërsi, sepse atëherë ata do të detyroheshin të hapeshin. Por mbi të gjitha nuk duhet të pranojmë gol. Kjo është shumë me rëndësi, duhet të jemi racionalë para portës kundërshtare”, theksoi Ramadani.
Në fund, trajneri nënvizoi se prioriteti është rezultati.
“Nuk kërkoj lojë të bukur, kërkoj rezultat. Epërsia këtu do të na ndihmonte shumë atje”, ka përfunduar Ramadani.
Ndeshja mes Dritës dhe Differdange fillon në orën 20:00.