Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga anëtarët e KQZ-së në mbledhjen e së enjtes.
Kundërshtimin më të ashpër e dhanë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi. Ata publikuan dokumente ku pretendohet se disa kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash dhe për asamblistë mbajnë pozita në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
Sot pasdite, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Në një deklarim pas takimit, ajo ka shprehur shqetësim për tendencat që të përjashtohen partitë serbe nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të tetorit.
Ajo ka thënë se kanë diskutuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për këtë çështje.
E ka vlerësuar tejet të rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.
“…me kryeministrin në detyrë për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces”, ka thënë ajo./Insajderi