Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Mehmeti, është nderuar me titullin “Nderi i Qytetit”.
Në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hyseni vlerësoi kontributin e Mehmetit si shembull të përkushtimit dhe sakrificës për lirinë e vendit.
Statusi i plotë:
Fatmir Mehmeti – Nderi i Qytetit
Sot, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci, deputeten Arijeta Rexhepi, bashkëpunëtorë të shumtë dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, patëm nderin të vizitojmë komandantin e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Fatmir Mehmeti.
Baca Fatmir përfaqëson idealin më të lartë të atdhedashurisë dhe sakrificës 🇽🇰🇦🇱. Në periudhën e luftës, ai u kthye nga Gjermania për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së, duke dhënë shembullin më të mirë të përkushtimit ndaj vendit. Krah tij, në këtë rrugë të shenjtë, u bashkua edhe vajza e tij, sot kolegia jonë, Shqipe Mehmeti – Selimi.
Për kontributin e jashtëzakonshëm dhe figurën e tij të ndritur, e nderuam me titullin “Nderi i Qytetit” 🏅, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përjetshme.