Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndarë sot Çelësin e Qytetit për shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu, duke e vlerësuar si një figurë të shquar të letërsisë shqipe dhe kontribues të madh në identitetin kombëtar.
Hyseni tha se ky akt është shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të çmuar dhe njëkohësisht propozoi që Kadriu të nominohet për çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit” si dhe për Medalje Presidenciale nga Presidentja Vjosa Osmani.
Statusi i plotë:
Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’i ndaj Çelësin e Qytetit shkrimtarit tonë të njohur, z.Ibrahim Kadriu. Ai është figurë e shquar e letërsisë shqipe dhe krijues që me veprat e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në identitetin tonë kombëtar.
Çelësi i Qytetit është mirënjohje për kontributin që edhe sot e kësaj dite vazhdon ta japë.
Po ashtu, kam propozuar që z. Ibrahim Kadriu të nominohet nga Kuvendi Komunal për Çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit”, si dhe të propozohet te Presidentja znj. Dr. Vjosa Osmani, që të nderohet me Medalje Presidenciale, për kontributin e dhënë në pasurimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës.