Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim rreth punimeve të seancës së sotme, ku dështoi sërish zgjedhja e Kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje edhe sot ndryshoi kandidatin për këtë pozitë, duke e propozuar Ministrin në detyrë të Financave, njëherit deputetin Hekuran Murati. Propozimi u bë pavarësisht se VV e dinte se partitë tjera nuk do të votonin për Muratin, meqë ishin shprehur qartë se nuk votojnë asnjë emër që ka qenë pjesë e ekzekutivit.
Për dallim nga herët e kaluara ku propozimi bëhej nga nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, sot Murati u propozua nga deputetja Donika Gërvalla, e cila vetë dështoi të merrte votat e nevojshme për këtë pozitë në seancën e së mërkurës.
Nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, për Muratin votuan 57 deputetë, 52 ishin kundër, ndërsa gjashtë abstenuan.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari konstatoi se në bazë të rezultatit kandidati i propozuar nuk ka marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit dhe për rrjedhojë ndërpreu seancën për sot.
Kuvendi do të mblidhet serish të dielën, më 24 gusht 2025, në orën 11:00.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas seancës, është pyetur nga gazetarët se kë do ta propozojnë për kryetar të Kuvendit të dielën.
Kurti duke qeshur tha ‘’e merrni vesh të dielën’’.
Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, emri i një kandidati mund të hidhet në votim vetëm tri herë.