Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar qytetarët e Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut pas lëshimit për qarkullim të urës së re mbi lumin Ibër.
Ura për kalimin e automjeteve nga sot është hapur për qarkullim.
“Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka shkruar Kurti.
Lajmin për hapjen e urës e dha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në Facebook, derisa në fotografinë e postuar nga ai shihen vetura e qytetarë duke lëvizur mbi urë.
Edhe zëvëndësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar një video për hapjen e kësaj ure.
“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar ai.