Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e kryeparlamentarit Dimal Basha.
Arsyeja e kësaj kërkese është publikimi shkencor i Bashës, në bashkautorësi me Jana Arsovska, i cili sipas OVL-UÇK-së përmban qëndrime kundër UÇK-së.
Nëse në seancën e parë të Kuvendit nuk merret vendim për shkarkimin e tij, OVL-UÇK paralajmëroi protesta, duke shtuar se ato do të njoftohen pas protestës që do të mbahet në Hagë.
“Ne kemi marrë të gjitha veprimet ligjore, kemi bërë kërkesë për shkarkimin e Dimal Bashës me datën 28 gusht, dhe i kemi dërguar të gjitha grupeve parlamentare të Republikës së Kosovës, përveç Listës Serbe që nuk i kemi dërguar. Deri më sot ende nuk kanë kthyer përgjigje. Ne si organizatë do të marrim vendim nëse në seancën e parë, që do të mbahet, nuk do të marrin vendim partitë opozitare dhe VV për ta shkarkuar. Ju e dini për çka kërkojmë që ai të shkarkohet, arsyeja është se ka bërë një botim shkencor me Jana Arsovska që ka bashkëpunuar me të dhe ka shkruar artikull që dihet kundër UÇK-së, në vitet ‘90, që ishte edhe më keq, kur ishin gjallë Adem Jashari, Zahir Pajaziti. Ai ka shkuar dhe ka thënë ‘këta janë marrë me dillera droge, që është një gënjeshtër shumë e madhe e këtij njeriu”, tha kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati.
“Nëse Parlamenti nuk merr vendim për shkarkim, neve po na imponojnë tani partitë politike të dalim në protestë dhe të kërkojmë shkarkimin e tij. Për protestën do të njoftojmë shpejtë, pas protestës që do ta kemi në Hagë, e sot nuk mundemi të përcaktojmë datën se kur do dalim, por me siguri do të jetë shumë shpejt”, ka theksuar Gucati.