Viti 2025 ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm për turizmin në jug të Shqipërisë, ku dy resorte të njohura, “La Luna” dhe “6 Miljet”, kanë arritur të thyejnë të gjitha pritshmëritë për numrin e vizitorëve dhe turistëve vendas e të huaj.
Këto dy resorte, të cilat udhëhiqen dhe menaxhohen nga sipërmarrës shqiptarë me prejardhje nga Kosova, veçanërisht nga Gjilani, janë shndërruar në një model të suksesit të biznesit turistik. Vetëm gjatë sezonit të këtij viti, ato kanë arritur të regjistrojnë numrin më të lartë të turistëve në të gjithë bregdetin jugor, duke lënë pas edhe destinacione të tjera tradicionale të preferuara.
Njëri nga pronarët, Selver Xhelili, i cili që nga viti 2010 i ka qëndruar besnik Ksamilit, thekson se ky vend çdo vit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar nga pushues vendas dhe të huaj. “Çdo sezon sjell një rritje të ndjeshme të interesimit për Ksamilin. Ne kemi investuar vazhdimisht në standarde dhe shërbime cilësore për t’i dhënë turistëve përvojën më të mirë, dhe rezultatet janë të dukshme,” u shpreh Xhelili.
Sipas tij, ky sukses nuk është vetëm një arritje e bizneseve të veçanta, por edhe një dëshmi se turizmi shqiptar ka potencialin të konkurrojë denjësisht në rajon dhe më gjerë, nëse mbështetet me infrastrukturë dhe politika zhvillimore të duhura.
Resortet “La Luna” dhe “6 Miljet” tashmë janë shndërruar në destinacione të preferuara për pushuesit, duke e vendosur jugun e Shqipërisë në qendër të vëmendjes për turistë nga e gjithë bota dhe duke dëshmuar rolin e rëndësishëm të sipërmarrësve shqiptarë në ngritjen e imazhit të vendit./Radio Star/