Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbër Ismajli, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për qytetarët që morën pjesë në tubimin e mbajtur në Gjilan.
Në fjalën e tij, Ismajli theksoi se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve është dëshmi e qartë e besimit që ata kanë ndaj vizionit dhe programit të LDK-së për të ardhmen e Gjilanit. Ai u zotua se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e komunës, duke vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimmarrjeje.
“Jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen dhe për energjinë pozitive që po e tregoni çdo ditë. Ky entuziazëm na obligon edhe më shumë për të ndërtuar një Gjilan më të zhvilluar, më transparent dhe më afër qytetarëve. Së bashku do ta bëjmë ndryshimin që e meriton qyteti ynë,” u shpreh Ismajli.
Ai po ashtu falënderoi strukturat e LDK-së në Gjilan për organizimin, duke shtuar se kjo forcë politike mbetet alternativa më serioze për qeverisje të përgjegjshme dhe efikase.