Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se në mandatin e ri synon të realizojë projekte kapitale që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Në fjalën e tij para qytetarëve, Hyseni është zotuar për ndërtimin e “Agro Parkut”, një hapësirë e dedikuar për bujqit, prodhuesit dhe përpunuesit vendorë, e cila pritet të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe për fuqizimin e ekonomisë lokale.
Po ashtu, ai ka paralajmëruar edhe ndërtimin e unazës së jashtme të qytetit në zonën ekonomike, një projekt që do të lehtësojë qarkullimin brenda qytetit, do të ulë ngarkesën në trafik dhe njëkohësisht do të lidhë më mirë zonën industriale me rrugët kryesore.
Sipas Hysenit, këto projekte përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Gjilanit./Radio Star/