Ardian Nuhiu është shfaqur në konferencë për media para duelit kampional ndaj FC Ferizaj, derisa ka bërë thirrje për futbollistët e tij të tregojnë mentalitetin fitues dhe shpirtin luftarak, elemente këto të cilat i karakterizojnë ‘kuqebardhët’.
Shefi i shtabit teknik është ndalur të flas për gjendjen aktuale të ekipit, formën, ekipin të cilin e ka në dispozicion dhe gjithë pyetjeve të tjera nga gazetarët të cilët ishin prezent në këtë takim mediatik.
Forma e luhatshme e ekipit?!
“Është po ky ekip që pati paraqitje fantastike në ndeshjen ndaj Prishtinës, kur të gjithë na konfirmuan si pretendentë. Ne kërkojmë në vazhdimësi që të dalim te loja jonë. Në ndeshjen e kaluar kemi patur momente të vështira dhe momente të mira. Atëherë kur është dashur të shënojmë ne golin e epërsisë, na erdhi ndëshkimi. Kjo tregon që ekipi është kërkues dhe është sulmues, prandaj edhe kemi pësuar nga kundërzbritjet. Punojmë në vazhdimësi që këto gabime të mos i përsërisim dhe ndeshja e nesërme është testi për të treguar dhe për ta dëshmuar këtë gjë”.
Optimizmi pas ndeshjes së fundit?!
“Besoj fuqishëm te ky ekip. Me pesë ndeshje as nuk shpallemi kampion dhe as nuk e humbasim titullin. Normalisht që është një humbje të cilën e vuajmë dhe e bashkëndjejmë sepse kemi lëshuar pikë në shtëpinë tonë, mirëpo ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë që këto pikë ti rikuperojmë gjatë rrugës. E rëndësishme është që ky kampionat është i nivelizuar dhe deri më tani edhe kundërshtarët nuk kanë qenë në maksimumin e tyre”.
Përgjegjësia e rezultateve?
“Gjithmonë përgjegjësia është e imja. Futbollistët mi leni të qetë. Jam unë ai i cili i drejtoj edhe i këshilloj futbollistët për mënyrën se si luajnë, ndaj unë do jem gjithmonë përpara përgjegjësive dhe përpara rezultateve jo të mira”.
Stabiliteti dhe vazhdimësia?
“Ne kërkojmë vazhdimisht nga ekipi që të krijojmë stabilitet dhe besojmë shumë që stabiliteti do të nis nga ndeshja e nesërme ndaj Ferizajt. Kërkojmë mentalitet fitues, mentalitet sulmues. Të gjithë së bashku të luftojmë dhe të shkojmë drejt objektivave që ka vënë klubi”.
Përballja ndaj Ferizajt?
“Një kundërshtar i vështirë që di të mbrohet mirë dhe di të sulmojë mirë. Por, mbi të gjitha është një ekip që lufton shumë, ndaj edhe ne duhet t’i përgjigjemi me luftë, angazhim dhe disiplinë. Kërkoj nga futbollistët të japin gjithçka nga vetja e tyre, të dalin në lojën e tonë dhe suksesi nuk do të mungojë”.
Grupi i gatshëm?
“Edhe në ndeshjen e fundit kemi patur futbollistë të cilët kanë patur shqetësime gjatë gjithë javës, mirëpo nuk kanë qenë informacione në dispozicion për publikun. Ata kanë sakrifikuar, kanë luftuar vetëm që të jenë të gatshëm për ndeshje dhe kërkojmë që të njejtin shpirt ta përcjellin dhe të njejtën energji ta përcjellin edhe në ndeshjet e radhës. Këtë ndeshje kemi gjithë futbollistët në dispozicion dhe të gatshëm për të performuar më të mirën, përjashto Edison Kqikun dhe Shqiprim Taipin, të cilët po vijojnë me procesin e rikthimit nga lëndimet të cilat i kanë patur”.
Mesazhet dhe kërkesat e tifozëve?
“Ne kemi patur gjithmonë mbështetjen e tifozëve dhe tani na duhet të kemi edhe më shumë, sepse e ndjejme nevojën ti kemi pranë. I kuptoj që janë të shqetësuar dhe po e vuajnë mungesën e rezultateve. Më besoni që unë dhe futbollistët e vuajmë edhe më shumë dhe bashkëndjejmë me ta. E kuptoj frustrimin e tyre dhe e di që tifozët kanë të drejtën e tyre, por ne kemi nevojë të jemi bashkë të luftojmë së bashku për objektivin e klubit”.