Xhiroja e gjashtë e Superligës së Kosovës në futboll, është e mbushur me ndeshje derbi, si dhe premton spektakël e interesim të madh.
Të gjitha, pesë ndeshjet e kësaj xhiroje do të luhen sot, por në dy orare të ndryshme.
Katër prej tyre startojnë në orën 15:00, ndërsa xhiroja mbyllet me duelin e mbrëmjes ndërmjet Prishtinës dhe Prishtinës së Re, që nis nga ora 20:15 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Prishtina prinë në tabelë me 10 pikë, katër më shumë se Prishtina e Re, ekip që po debuton në Superligë dhe këtë javë ka bërë ndryshim në shtabin teknik, ku në vend të Elon Berishës së larguar ka angazhuar Shpëtim Babajn.
10 pikë sikurse Prishtina, i ka edhe Dukagjini që në Klinë e pret Llapin, skuadër kjo që ende nuk di për fitore këtë sezon dhe zë vendin e fundit në tabelë.
Në Suharekë, Ballkani përballet me Dritën, Gjilani e pret Drenicën kurse Malisheva në shtëpi luan kundër skuadrës së Ferizajt.