Të mërkurën e 24 shtatorit janë bërë dy vjet nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur i udhëhequr nga ish-politikani Millan Radoiçiq sulmoi Policinë e Kosovës.
Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, gjatë përleshjes, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër zyrtar policor.
Sulmi u dënua ashpër nga krerët e shtetit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kërkuan që autorët të dalin para drejtësisë.
“Ky akt terrorist është një sulm i drejtpërdrejtë kundër rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,” kishin deklaruar zyrtarët e lartë të shtetit në atë kohë.
Për nder të 2 vjetorit, televizioni Tëvë1 ka transmetuar një reportazh të veçantë ku është shpjeguar në detaje ngjarja e 24 shtatorit, pasojat e saj dhe kujtimi për rreshterin Bunjaku.
Gjithashtu, sot Tëvë1 ka publikuar pamje ekskluzive nga momentet e ballafaqimit mes njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe grupit terrorist.
Në këto pamje shihet momenti kur njësitë speciale hapin zjarr në drejtim të sulmuesve të armatosur, duke neutralizuar kërcënimin.
Përvjetori i dytë i sulmit në Banjskë është kujtuar si ditë e sakrificës dhe guximit të Policisë së Kosovës.
Videon me pamjet e publikuara nga Tëvë1 mund ta ndiqni më poshtë: