Një ngjarje kulturore dhe shoqërore do të mbahet në Gjilan këtë fundjavë, kushtuar fuqizimit dhe mbështetjes së grave në politikë. Kori i Grave Muza do të sjellë koncertin “Gratë për Gratë”, një iniciativë që përmes muzikës synon të japë një mesazh të fortë për rolin e grave në jetën publike.
Koncerti do të mbahet të shtunën, më 4 tetor 2025, duke filluar nga ora 17:00, në ambientet e Bibliotekës së Gjilanit.
Përveç një programi të pasur muzikor, ky aktivitet bart edhe një simbolikë të veçantë: fuqizimin e zërit të grave në politikë dhe shoqëri, duke përçuar idenë se arti dhe kultura mund të jenë ura lidhëse drejt një përfaqësimi më të barabartë.
Organizatorët ftojnë qytetarët e Gjilanit që të marrin pjesë në këtë mbrëmje të veçantë, ku muzika dhe mesazhi shoqëror do të bashkohen për të festuar dhe për të motivuar rolin e grave në politikë.