Pas disfatës së rëndë të Gjilanit në Podujevë kundër Llapit, me rezultat 4-1, nuk kanë munguar reagimet e ashpra nga tifozët e zjarrtë të kuqebardhëve, “Skifterat”.
Në një deklaratë të publikuar pas ndeshjes, ata shprehën zhgënjimin e tyre të madh me situatën aktuale në klub, duke e bërë të qartë se besimi i tyre tek trajneri Ardian Nuhiu është shuar.
Ja deklarata e plotë e tifozëve “Skifterat”:
“Asnjëherë nuk jemi përzier në punët e kryesisë dhe gjithmonë kemi pasur dhe kemi besim të plotë tek ata.
Por nga ky moment, trajneri Ardian Nuhiu është i padëshiruar për ne, nëse nuk reflekton ai.
Nëse nuk ka ndryshim, do të veprojmë në mënyrën tonë, ashtu siç dimë ne.
Askush nuk është mbi klubin e zemrës Gjilanin!
#US99”
Ky reagim i fuqishëm vjen në prag të derbit të madh gjilanas, ku në xhiron e 8-të Gjilani përballet me rivalin e qytetit, Dritën. Një ndeshje që tashmë merr dimensione edhe më të mëdha, pasi përveç garës për pikë, do të jetë edhe një test i rëndësishëm për të ardhmen e trajnerit Nuhiu në bankinën e Gjilanit.