Familja e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ka paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore ditën e martë, më 30 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Protesta do të nisë nga ora 12:00 dhe ka për qëllim të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Spahiut, i cili tash e katër muaj po mbahet në paraburgim në Serbi.
Në një njoftim të shpërndarë për media, familja Spahiu ka theksuar se kjo protestë synon të ngrejë zërin kundër asaj që e cilësojnë si padrejtësi të thellë ndaj Arbnorit, si dhe të nxisë reagim më të fuqishëm nga autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare.
“Kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë me të cilën Arbnori dhe familja e tij po përballen tash e katër muaj,” thuhet në deklaratën publike të familjes.
Organizimi i protestës vjen pak ditë pasi autoritetet gjyqësore në Serbi kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Spahiut edhe për tre muaj të tjerë. Ai ishte arrestuar në muajin maj në territorin serb, teksa po kalonte përmes pikës kufitare në Rashkë.
Familjarët e tij kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të angazhohen më seriozisht për lirimin e tij dhe të përdorin të gjitha mjetet diplomatike në këtë drejtim.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, Presidenca dhe Kuvendi, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të mos heshtin përballë kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut,” thuhet më tej në komunikatë.