Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, këtë të premte.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë në platformën sociale NSosyal, dy liderët diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Gaza. Erdogan i tha Trump se ndalimi i sulmeve nga Izraeli është vendimtar për përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon.
Gjatë bisedës, Erdogan nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes. Ai kujtoi vizitën e tij të javës së kaluar në Washington, ku zhvilloi një takim mbi dy orësh me presidentin amerikan, duke theksuar se kjo ka forcuar më tej marrëdhënien mes Ankarasë dhe Washingtonit.
Erdogan shtoi se Turqia po bën përpjekje intensive për të siguruar paqe dhe qetësi në gjithë rajonin, sidomos në Gaza, duke theksuar se Ankaraja mirëpret çdo nismë që synon këtë objektiv. Ai nënvizoi gjithashtu se vendi i tij ka përshpejtuar përpjekjet diplomatike dhe do të vazhdojë të kontribuojë për paqen rajonale.